
Këshilltari i lartë politik i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert
Hand paralajmëroi se klasa politike në Shqipëri nuk duhet të bjerë në
vetëkenaqësi dhe duhet të bashkëpunojë për të mirën e vendit.
Në një intervistë për gazetaren e ‘Zërit të Amerikës’, Keida Kostreci ai tha se Shqipëria ka nevojë për konsolidimin e vërtete të institucioneve demokratike.
Robert Hand: Mendoj se në përgjithësi zhvillimet kanë qenë pozitive. Kalimi ishte shumë i rregullt dhe ky ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë duhet të kuptohet se në kontekstin e përgjithshëm, ishte thjesht një hap. Një tranzicion i rregullt duhet të jetë rruga normale për një qeveri demokratike, kështu që shpresoj që si opozita ashtu edhe pala në pushtet të mos ndjehen të vetëkënaqur dhe të mendojnë se kjo mjafton. Ata duhet të bëjnë hapa përpara për të përballuar sfidat e tjera dhe të bëhen gati për integrimin në Bashkimin Evropian.”
I pyetur për tensionet që ekzistojnë mes dy partive, Hand është i mendimit se për aq kohë sa ka pjesëmarrje dhe angazhim, le te ketë dhe mosmarreveshje.
Robert Hand: “Por duhet të ketë angazhim dhe përpjekje për të arritur kompromise për të mirën e vendit.Opozita ka një rol shumë të rëndësishëm në demokraci pra nuk bëhet fjalë vetëm për qeverinë por për gjithë sistemin politik.”
Robert Hand tha se edhe Europa duhet të luajë rolin e saj.
Robert Hand: Kemi parë në të kaluarën që vende të Ballkanit ndërmarrin hapa pozitivë dhe ato hapa nuk vlerësohen. Kjo krijon një ndjenjë cinizmi në këto vende, një ndjesi se nuk po trajtohen me drejtësi, nuk po merren seriozisht. Por unë jam i shqetësuar se nga ndjesia e lodhjes me zgjerimin, ose fajësimi i zgjerimit për disa nga problemet e tanishme, vendet që aspirojnë anëtarësimin dhe që kanë marrë hapat që u janë kërkuar për anëtarësim, mund të mos marrin përgjigjen që në fakt e meritojnë. Mendoj se ky do të ishte gabim.”
Këshilltari i lartë politik i Komisionit Amerikan të Helsinkit u shpreh shpreseplote qe në BE, këtë vit të bëhet me i qartë, që angazhimi i premtuar ndaj Ballkanit të plotësohet dhe se kur vendet marrin hapat e nevojshëm, këto duhet vlerësuar.
Top Channel