Franca i shpëton recesionit

14/02/2014 10:45

Ekonomia franceze u rrit me 0,3% në tremujorin e fundit të 2013-s, treguan të dhënat qeveritare të publikuara ditën e premte.

Një rritje e tillë e lehtë ndihmoi ekonominë e dytë më të madhe të Europës që të shmangë recesionin, duke regjistruar gjithashtu një rritje prej 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për të gjithë vitin e shkuar marrë bashkë.

Parashikimet e Bankës Qëndrore Franceze flisnin për një kontraktim prej 0,1% në Tetor-Dhjetor 2013. Ndërkohë, ekonomia gjermane regjistroi një rritje pak më të lartë prej 0,4% në të njëjtën periudhë, nga 0,3% i tremujorit që përfshinte Korrikun, Gushtin dhe Shtatorin.

Ndonëse rritja mbetet ende e dobët, këto të dhëna konfirmojnë besimin se ekonomia e Eurozonës po nis një proces të gjatë rimëkëmbje, në të cilën Gjermania dhe Franca pritet të jenë lokomotivat e kontinentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA