
Danimarka “qan” njeriun e mrekullisë së vitit 1992, fitorja e kampionatit europian në futboll, Richard Moller Nielsen, i ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare.
Lajmi është publikuar nga e përditshmja “Fyens Stiftstidende”, që ka njoftuar vdekjen e trajnerit, që shkroi historinë e futbollit danez, falë triumfit në Europianin e Suedisë, në të cilin skuadra daneze u përzgjodh në momentin e fundit për të marrë pjesë, pas skualifikimit të ish-Jugosllavisë.
Në finalen e atij turneu, Danimarka mposhti Gjermaninë favorite 2-0, falë golave të Jensen dhe Vilfort.
Nielsen ishte i sëmurë prej kohësh dhe gjendja shëndetësore e tij ishte përkeqësuar së tepërmi gjatë muajve të fundit, bën të ditur e përditshmja daneze.
Ish-trajneri i Danimarkës për 7 vjet, nga 1990-1996, ka drejtuar më tej edhe kombëtaret e Finlandës dhe Izraelit, përpara se të tërhiqej nga ky profesion në vitin 2003.
Si trajner ekipesh, ai ka fituar dy kampionate të Danimarkës në krye të Odense-s, ndërkohë që si futbollist është grumbulluar dhe ka luajtur 2 herë me kombëtaren e tij, përpara se të linte futbollin e luajtur në kohë të hershme, për shkak të një dëmtimi.
Top Channel