
Shqipëria do të përfaqësohet vetëm me një sportist në Lojrat Olimpike Dimërore “Sochi 2014”, pasi skiatori Erjon Tola, në mbyllje të seancës stërvitore të së mërkurës, pësoi një frakturë të dyfishtë në parakrahun e majtë.
“Erioni ishte në përfundim të stërvitjes në palestër. Ndodhi një aksident teksa po bënte një kërcim, rrëshkiti dhe dëmtoi dorën. Unë isha prezent në atë moment dhe e kuptova menjëherë që ka frakturë të parakrahut. Bëmë një radiografi dhe u konfirmua se kishte një frakturë të dyfishtë. Më pas, ndërhyrja rezultoi me sukses. Kam qenë aty përgjatë gjithë kohës dhe çdo gjë shkoi në rregull. Pashë edhe radiografitë pas operacionit dhe mendoj se ata kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë”, tha mjeku Alban Merepeza.
Sipas mjekëve rusë, të cilët kanë bërë ndërhyrjen kirurgjikale, skiatorit tonë Erjon Tola do t’i duhen rreth 4 muaj për t’u rikthyer në sport, por mjeku Merepeza mendon ndryshe.
“Unë bisedova me mjekët rusë dhe ata mendojnë se Erjonit do t’i duhen 3 deri në 4 muaj, përpara se të rifillojë sportin normalisht, por unë jam i mendimit që ai do ta kalojë për 2 muaj, për arsye se ata nuk e njohin Erjonin, një sportist me vullnet të jashtëzakonshëm dhe me dëshirën për t’u përfshirë në sport sa më shpejt”, u shpreh mjeku Merepeza.
Sa i përket ndikimit të këtij dëmtimi te garuesja tjetër që përfaqëson Shqipërinë, Suela Mëhilli, Merepeza tha se “nuk ka ndikuar aspak, përkundrazi e ka motivuar më tepër që ajo ta zhvillojë garën e saj me sukses, pasi tashmë mban mbi supe peshën e të gjithë kombit”.
Dëmtimi i Tolës ka bërë që Shqipëria të përfaqësohet në “Sochi 2014” me skiatoren 20-vjeçare, Suela Mëhilli
***
Skiatori shqiptar Erjon Tola, një nga dy sportistët tanë në Lojërat
Olimpike Dimërore “Soçi 2014”, është dëmtuar gjatë një stërvitjeje në
palestër dhe nuk do të marrë pjesë në provat e programuara më 19 dhe 22
shkurt.
27-vjeçari është dëmtuar në parakrahun e majtë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Kjo olimpiadë dimërore ishte e treta në karrierë për Erjon Tolën. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë më parë në Olimpiadën e Torinos (2006) dhe të Vankuverit (2010).
Top Channel