Sochi, Shon White zbret nga froni

13/02/2014 00:00

Zviceriani Podlatcikov ka fituar medaljen e artë për meshkuj në disiplinën e snoubordit gjysmërreth, në Lojrat Olimpike Dimërore të Soçit, duke i ndërprerë kështu titullin e tretë radhazi Shon White.

Sportisti me origjinë ruse ka bërë një paraqitje shumë të mirë në daljen e tij të dytë, në “Rosa Khutor Extrem Park”, duke marrë 94.75 pikë.

Pas tij u rendit japonezi 15-vjeçar, Ajumi Hirano, i cili grumbulloi 93.5 pikë në daljen e dytë, ndërkohë që medaljen e bronxtë në këtë disiplinë e mori bashkëkombasi i tij, 18-vjeçari Taku Hiraoka, që kishte grumbulluar 92.25 pikë.

Vogt merr medaljen e parë
Gjermanja kërceu 103 metra, la pas vetes austriaken Stolz

Gjermanja Karina Vogt fitoi medaljen e parë të artë, në kategorinë e femrave për kërcim me ski, duke befasuar të gjithë me kërcimin final nga kodra. Vogt arriti distancën e 103 metrave, duke lënë pas veteranen austriake, Daniela Irasko Stolz.

Kërcimi i dytë i Vogt ishte 97.5 metra, duke i sjellë në total, në fund të garës, 247.4 pikë dhe titullin kampion.

Ndërkohë, austriakja Irashko-Stolz, edhe pse në kërcimin e dytë u ul në distancën e 104.5 metrave, u rendit në vendin e dytë, pasi grumbulloi 246.2 pikë. Në vendin e tretë dhe fituesja e medaljes së bronxtë ishte francezja Kolin Matel, e cila grumbulloi 245.2 pikë.

Rusia shkëlqen në patinazh
Tjetër medalje e artë nga vendasit, në vendin e dyte çifti gjerman

Paraqitja e mrekullueshme e çiftit Tatiana Volosozhar dhe Maksim Trankoi, në patinazhin artistik, i dha mundësinë atyre, që të marrin medaljen e dytë të artë në këtë Olimpiadë, pas të parës që e fituan ditën e diel.

Çiftet ruse kanë qenë pretendentë që në fillimin e këtyre lojrave, mjafton të kujtosh që kanë fituar 7 nga 8 botërorët e fundit.

Pas tyre, medaljen e argjendtë e mori çifti gjerman Aliona Savcenko dhe Robin Zolkovni. Ky çift është katër herë kampion bote, megjithatë në sinkronizimin e fundit humbën terren ndaj rivalëve.

Në vendin e tretë dhe fitues i medaljes së bronxtë gjendet një tjetër çift rus, Ksenia Stolbova dhe Fedor Klimov.

Top Channel