
Diego Simeone ka paralajmëruar lojtarët e tij që të mos nënvlerësojnë sulmuesin e Milanit, Mario Balotelli, me të cilin futbollistët e Atletico Madrid do të përballen për fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampioneve.
Trajneri argjentinas mendon se SuperMario ka mjaftueshëm talent për të vendosur i vetëm një ndeshje: “Balotelli mund të fitojë ndeshje i vetëm. Nuk mendoj se është i brishtë, por është një person që i shpreh hapur ndjenjat e tij e për këtë arsye e pamë duke qarë në Napoli.”
Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, Simeone pati fjalë të mira edhe për Milanin: “Janë një skuadër e fortë dhe një klub i madh. Do të japin maksimumin ndaj nesh dhe duhet të kemi kujdes.”
Diego Pablo Simeone ka arritur shumë sukses me Atletico që kur ka marrë drejtimin e klubit madrilen në vitin 2011 dhe nuk përjashton që një ditë të jetë trajner i Interit, klub me të cilin ka luajtur gjatë karrierës si futbollist.
“Për momentin jam i lumtur në Spanjë, por të shohim çfarë na ka rezervuar e ardhmja. Mendoj se tifozët zikaltër do më prisnin mirë”, tha Simeone.
Top Channel