
Clarence Seedorf ka nisur me kohë të përgatisë sfidën e rëndësishme që e pret Milanin e tij ndaj Atletico Madrid, por ndërkohë të premten do të përballet me Bolonjën, ndeshje që do të jetë prova gjenerale në prag të duelit të Champions-it.
“Nëse duam të zhvillojmë një ndeshje të mirë ndaj Atletikos, duhet të luajmë mirë ndaj Bolonjës. Po punoj shumë me skuadrën në nivelin psikologjik pasi rezultatet jo të mira gjatë gjithë sezonit kanë ndikuar për keq”, tha tekniku holandez.
Në lidhje me Mario Balotellin, Seedorf deklaroi: “Mario nuk duhet të përmirësojë asgjë, të gjithë mund të luajnë një ndeshje të keqe. Ka talent dhe shpresojmë që një ditë të bëhet një kampion i madh pasi ende nuk është i tillë. I duhet vazhdimësi.”
Në fund, ish-mesfushori i kuqezinjve shpalosi filozofinë e tij: “Duhet të fitojmë duke bindur me lojën tonë. Duhet të imponohemi në fushë dhe të luajmë me intensitet. Duhet të punojmë shumë, por shoh që lojtarët kanë dëshirë. E di se çfarë duhet të bëj dhe ku dua të arrij.”
Top Channel