Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur procesin për mbledhjen e firmave për të ngritur mocion mosbesimi në Kuvend, për rrëzimin e qeverisë së Kosovës.

Kështu ka deklaruar deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, e cila ka sqaruar se gjithçka është në proces fillestar pasi janë në bisedime me opozitën para se ta ngrenë mocionin e mosbesimit.

“Është një iniciativë e Aleancës, mirëpo jemi në proces diskutimesh dhe kërkimit të përkrahjes nga të gjitha palët, me qëllim që sa më parë Kosova të shkojë në zgjedhje të cilat do ta nxjerrin vendin nga kriza”, ka thënë Bujupi.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se nuk do të përkrahë iniciativa të tilla, megjithëse garanton që çdo iniciativë do të përfundojnë në të mirën e partisë në pushtet.

“Mund të merren iniciativa të tilla, por unë ju garantoj që ato do të përfundojnë në të mirën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe do t’i sigurojnë asaj edhe një mandat katërvjeçar për qeverisjen e vendit dhe për nisjen e ndryshimeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit. Unë çdo nismë demokratike e mbështes, çdo ide të arsyeshme e mbështes, por kurrësesi nuk i mbështes ekstremizmat”, ka thënë Grabovci.

Ndërkohë, dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim lidhur me këtë iniciativë dhe se nuk kanë dakordim me AAK-në për këtë proces.

“Unë nuk kam informacion për mocionin. Mendoj që nisma për mocion për rrëzimin e qeverisë duhet të jetë veprim i konsultuar në detaje dhe jo një veprim i pakonsultuar. Gjithësesi mendoj se gatishmëria e AAK-së për ta rrëzuar qeverinë është interesante dhe le të shohim veprimet e mëtejshme. Votat mund të jenë sepse shumica e deputetëve që mungojnë kanë arsye të ndryshme, disa janë në udhëtime zyrtare dhe obligime tjera, por në rast të votëbesimit duhet të ketë mobilizim total në mënyrë që mocioni të ketë sukses”, ka deklaruar Arben Gashi nga LDK.

“Nuk e di që është duke ndodhur kjo apo jo dhe natyrisht që pa e parë njëherë tekstin dhe pa i diskutuar modalitetet e saj nuk mund të them asgjë. Vendimi për përkrahjen e Aleancës për mosbesim ndaj qeverisë do të jetë vendim i lëvizjes Vetëvendosje, pra nuk mund ta marrë unë si vendim. Natyrisht nuk kemi pasur as mundësi ta diskutojmë një iniciativë të tillë për shkak se nuk na është paraqitur asnjëherë”, ka thënë Visar Ymeri nga VV.

Top Channel