Grupi parlamentar i LDK-së kërkon që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi të raportojë në Kuvend mbi rrjedhat e dialogut Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel. Deputeti i LDK-së, Skënder Hyseni ka thënë se ky proces nuk është transparent, pasi për marrëveshjet që mund të arrihen deputetët dinë shumë pak.

“Po flitet për arritjen së shpejti të një marrëveshjeje në fushën e gjyqësorit. Çfarëdo marrëveshje që të arrihet në këtë fushë kërkon unitetin e legjislacionit, unitetin e jurisprudencës dhe unitetin e gjyqësorit të Kosovës. Kjo është thelbësore dhe për të gjitha këto LDK e fton kryeministrin që në rastin e parë të mundshëm t’i raportojë këtij Kuvendi dhe opinionit të gjerë në Kosovë mbi rrjedhën e këtij procesi”, ka deklaruar Hyseni.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli tha se është shqetësues fakti që në reformën zgjedhore nuk po i kushtohet rëndësi popullsisë kosovare jashtë vendit. Ai ka kërkuar që edhe ajo pjesë e popullatës të jetë pjesëmarrëse në proceset politike në vend.

“Të rezervosh 20 vende në Parlamentin e Kosovës për 5 për qind të popullsisë dhe të mos mundësosh për 30 deri në 40 për qind të qytetarëve jashtë vendit që të kenë një përfaqësim politik në Parlament nuk është vetëm një injorancë, por edhe shkelje themelore e të drejtave të njeriut dhe përjashtim i qytetarëve nga procesi dhe përfaqësimit demokratik në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Topalli.

Mes të tjerash në këtë seancë u ftua Prokuroria e Kosovës që urgjentisht të marrë masa ndaj njerëzve të cilët e dinë se kush janë anëtarët e Kuvendit dhe qeverisë që dyshohen se i shërbejnë shërmbimeve sekrete serbe.

“Unë besoj se ai që ka punuar njëherë për UDB-në deri në vdekje do të punojë për UDB-në. Fjala është për këta njerëz që në opinionin publik dhe jo publik dalin me deklarata se i njohin njerëzit në këtë Kuvend, në këtë qeveri dhe në institucionet e tjera të Kosovës që punojnë për UDB-në. E ftoj Prokurorinë e Kosovës që menjëherë e urgjentisht t’i marrë këta persona në pyetje dhe menjëherë ata të tregojnë se kush janë njerëzit në radhët tona që punojnë për shërbimet infromative të huaja, sidomos për ato armike”, ka thënë deputeti i VV, Florion Krasniqi.

Krasniqi ka thënë më tej se deputetët po fshihen prapa kodit etik duke mos treguar se kush janë ata persona, me pretendimin e rremë se kodi nuk ua lejon të tregojnë.

Top Channel