Kupat, El Clasico, Maradona, Bayern…

13/02/2014 00:00

Mesjava ka dhuruar disa përballje të forta në Europë, sa i përket kompeticioneve të Kupave të vendeve respektive, teksa janë përcaktuar çiftet finaliste në Itali e Spanjë, si dhe ato gjysmëfinaliste në Gjermani.

Napoli-Fiorentina do të jetë finalja e Kupës së Italisë për këtë edicion. Përpara Diego Maradonës, në tribunën VIP të “San Paolo”-s, Napoli ka mposhtur Romën me rezultat të pastër 3-0, pa e vënë asnjëherë në diskutim fitoren e kësaj ndeshjeje, madje as kualifikimin për më tej.

Autorë të golave kanë qenë Callejon, në minutën e 25 të pjesës së parë, si dhe dy golat e shpejtë të Higuain dhe Jorginho, respektivisht 3 dhe 5 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë. Takimi i parë në “Olimpico” kishte përfunduar 3-2 për Romën.

Pavarësisht rezultatit të padiskutueshëm, çështje për t’u diskutuar ka pasur brenda dhe jashtë stadiumit, teksa në fushë pati disa herë irritime dhe madje edhe një karton të kuq për Strootman, ndërsa jashtë stadiumit tifozët bënë “punën” e tyre më të keqe. Finalja e Kupës do të luhet më 3 ose 7 Maj.

***

Në Spanjë, Real Madrid dhe Barcelona do të diskutojnë trofeun e 112-të të Kupës së Mbretit, që do të jepet mbrëmjen e 19 Prillit në stadiumin “Mestalla” të Valencias.

Pas fitores 2-0 në “Camp Nou”, blaugranat barazuan 1-1 në fushën e Real Sociedad, pasi fillimisht kishin kaluar në avantazh me Messi-n, por Griezmann barazoi për vendasit në fund të takimit.

Tashmë, në aktin e fundit të këtij kompeticioni, do të jetë “El Clasico” kundër merenguesve, që të martën eliminuan Atletico Madrid, pasi e mposhtën për të dytën herë, edhe në “Vicente Calderon”.

Real-Barca pritet të jetë një “hakmarrje” e finales së vitit 2011, të luajtur edhe atëherë në Valencia, dhe të fituar nga Real Madrid.

***

Në Gjermani, ndryshe nga Italia e Spanja, janë përcaktuar çiftet gjysmëfinaliste. Pas kalimit të raundit të çerekfinaleve nga ana e Borussia Dortmund, të martën kundër Eintracht Frankfurt, edhe Bayern Munich siguron një biletë për në katërshen e më të mirëve të DFB Pokal.

Skuadra e Guardiolës pret biletën në mënyrën më “vrastare” të mundshme, pasi shpartalloi 5-0 ekipin e Hamburg në transfertë, të drejtuar nga Van Marwijk, ish-trajner i kombëtares holandeze.

Një performancë e shkëlqyer e sulmuesit kroat Mandzukic, autor i një “triplete”. Jashtë mbetet Bayer Leverkusen, ekipi i vetëm rivalizues i bavarezëve në kampionat, që u dorëzua pas kohëve shtesë nga Kaiserslautern i Bundesligës 2. Autorë të golave për Bayern janë edhe Dante dhe Robben.

Top Channel