Shtatë klube franceze apeluan në Federatë kundër vendimit për t’i lejuar Monacosë që të paguajë një regjim të ndryshëm taksash, në krahasim me klubet e tjera të vendit.
Ndërsa 19 nga 20 skuadrat e Ligue 1 duhet të paguajnë taksa të rënda mbi fitimet dhe pagat të imponuara nga ligji francez, Monaco përjashtohet nga ky regjim për shkak të sovranitetit relativ që ka Principata.
Zyrtarisht, Monaco është një Principatë autonome, sovrane nën protektoratin e Francës dhe pavarësisht lidhjeve tepër të ngushta, Principata konsiderohet si shtet më vete në bazë të ligjeve ndërkombëtare.
Me këtë argumentim, Federata Franceze e Futbollit vendosi se pavarësisht se Monaco militon në Kampionatin Francez të Futbollit, për shkak të statusit të veçantë të territorit ku është regjistruar, mund të vazhdojë të paguajë taksat shumë herë më të ulta që ekzistojnë në Principatë.
Një vendim i tillë ka ngjallur pakënaqësinë e klubeve të tjera, të cilat gjykojnë se janë bërë pjesë e një trajtimi të pabarabartë.
Për këtë arsye, Paris SG, Bordeaux, Olympique de Marseille, Montpellier, Lille, Lorient dhe Caen janë bashkuar në një apel, duke kërcënuar se nëse e drejta e tyre do të mohohet, do të ngrenë në gjykatë një padi ndaj klubit të Monacosë dhe Federatës.
Top Channel