F1, Domenicali i kënaqur me Ferrarin

13/02/2014 00:00

Stefano Domenicali, shefi i Ferrarit, është treguar shumë optimist në prag të sezonit të ri të Formulës 1, aty ku priten shumë ndryshime që do të vijnë nga rregullorja e re.

“Fillimi i kampionatit do të jetë plot të panjohura, nuk mund të bëhen parashikime. Mendoj se do të kuptojmë pak më shumë nga testimet e Bahreinit, por unë jam optimist dhe optimizmi im bazohet nga fakti që e dimë se ku duhet të punojmë”, shprehet Domenicali.

Ai shton se testimet e Jerezit mund të konsiderohen pozitive për skuderinë italiane: “Gjithmonë jam i kujdesshëm me deklaratat pasi në Formula 1 gjërat ndryshojnë shumë shpejt, por në Jerez pamë që jemi nisur me këmbë të mbarë. Makina F14 T i përgjigjet mirë ndryshimeve dhe nuk patëm asnjë surprizë të pakëndshme. Kemi ende shumë punë pasi është e pamundur që në nisjen e sezonit të kemi një makinë perfekte.”

Domenicali shpjegoi edhe zgjedhjen e Ferrarit për të pasur në skuadër dy pilotë kampionë si Alonso dhe Raikkonen: “Donim dy pilotë me eksperiencë dhe shpresoj që në pistë të tregohet që kemi bërë zgjedhjen e duhur. Interesi i Ferrarit do të jetë mbi atë të pilotëve.”

Top Channel