Raundi i 22-të i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli mes Prishtinës
dhe Beogradit përafroi qëndrimet mes palëve për sistemin e drejtësisë në
veri të Kosovës. 

“Patëm një diskutim të thellë për të gjitha çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë në bazë të marrëveshjes së Prillit. Të gjithë elementët relevantë po mblidhen tani së bashku në një paketë që do të finalizohet nga kryeministrat në takimin e radhës”, konfirmoi 5 orë pas mbledhjes, përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Catherine Ashton.

“Në këtë përafrim të qëndrimeve kemi diskutuar të gjitha gjërat sa i përket funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto përafrime janë bërë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Për Kryeministrin e Serbisë do të ketë një gjykatë të qarkut të Mitrovicës për shtatë komuna, jo vetëm për ato me shumicë serbe. “Në njësitë e gjykatave dhe zyrat e prokurorisë, përbërja etnike do të jetë në përputhje me strukturen etnike të popullsisë në atë pjesë. Specifikat dhe individualiteti i veriut duhet të respektohen“, thotë kryeministri Daçiç.
 
Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel