OSBE, kritika qeverisë britanike

12/02/2014 00:00

Në Britani ishte gazeta e madhe “The Guardian” që botoi dokumentet sekrete të nxjerra nga ish-kontraktori amerikan Edward Snowden.

Pikërisht për këtë fakt, deputetët britanikë thirrën në muajin dhjetor në një seancë dëgjimore kryeredaktorin e kësaj gazete prestigjoze, gjatë të cilës e pyetën nëse ai e donte ose jo vendin e tij dhe nëse e pranonte se kishte kryer një vepër të karakaterit terrorist me publikimin e këtyre dokumenteve.

Duket se ky presion politik ka detyruar OSBE-në që të kritikojë Britaninë për këtë gjë, duke thënë se kjo do të ketë një efekt të padëshirueshëm dhe negativ në gazetarinë e pavarur në vend.

Sipas përfaqësueses së Departamentit të Medias së kësaj organziate evropiane, Dunja Mijatoviç, “akuzat e vazhdueshme dhe sulmet ndaj “The Guradian” dhe kryeredaktorit të saj nuk janë gjë tjetër veçse presion dhe frikësim”.

Muajin e kaluar kryeministri Cameron tha se ishte i pakënaqur nga inofrmacionet sekrete të botuara nga gazeta, të marra nga ish-eksperti amerikan i elektronikës.

Të pytur nëse ka ndonjë hetim policor ndaj gazetës “The Guardian”, me orientim të majtë, një zyrtar i lartë i policisë tha se disa persona kanë kryer vepra të karakterit terrorist nga mënyra se si kanë vepruar me të dhënat e marra nga Snowden.

Top Channel