Tre skuadra udhëtuese fituan në transfertë në ndeshjet e vajtjes së Kupës së Shqipërisë, duke qenë shumë pranë kualifikimit në katërshen e fundit të mbetur, apo në gjysmëfinale.
Në ndeshjen midis fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë dhe kampionëve të Superiores, këta të fundit arritën të imponoheshin falë një goli të vonë të Pejiç. Sulmuesi serb ndëshkoi Laçin, në minutën e 84 të takimit, pas një ndeshjeje tepër të dyluftuar.
Në Lushnje, në stadiumin “Roza Haxhiu” të ndëshkuar dhe pa spektatorë, vendasit realizuan të parët, nëpërmjet Cankës në fundin e pjesës së parë, por Teuta ndërroi marsh pas intervalit dhe triumfoi me rezultatin 4-2.
Në Ballsh, ishin përsëri vendasit ata që shënuan të parët, menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, por Kukësi tregoi superioritetin e tij dhe fitoi 2-1 në transfertë, falë golave të Cikalleshit.
E vetmja sfidë, në të cilën kualifikimi mbetet ende i hapur, ishte ajo midis Vllaznisë dhe Flamurtarit. Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, asnjë prej skuadrave nuk ishte në gjendje të zhbllokonte rezultatin.
Top Channel