Guardiola: Kroos në stol? Arsye taktike

12/02/2014 00:00

Pep Guardiola ka thënë se Toni Kroos ka qëndruar në stol në dy ndeshjet e fundit të Bayern Munchen thjesht për arsye taktike.

Mesfushori i kombëtares gjermane nuk ka luajtur asnjë minutë në fitoret e bavarezëve ndaj Eintracht Frankfurt dhe Nurnberg duke bërë të mendohet për një ndëshkim për pakënaqësinë që tregoi gjatë zëvendësimit në ndeshjen ndaj Stuttgart (29 janar).

Por, Guardiola ka bërë të qartë se reagimi i Kroosit nuk është marrë parasysh në bërjen e formacionit titullar: “Kroos ka qëndruar në stol për arsye taktike. Nuk është hera e parë që një lojtar ka pakënaqësi nga vendimet e mia. Gjithmonë lojtarët janë të pakënaqur kur nuk luajnë. Detyra ime është të mbaj situatën nën kontroll.”

Kroos mund të rikthehet sot në formacionin titullar, kur Bayern Munchen të përballet me Hamburgun në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë.

Kontrata e 24-vjeçarit me Bayern Munchen skadon në qershor të vitit 2015 dhe Manchester United po vëzhgon me kujdes të gjitha zhvillimet.

Top Channel