Fotot e vrasjes së Bin Laden

12/02/2014 00:00

Brenda dy javëve nga operacioni blic që çoi në vrasjen e Osama bin Laden, kreu i forcave speciale amerikane dha urdhër të dorëzoheshin ose të shkatërroheshin të gjitha fotot e trupit të pajetë të sheikut të terrorit.

Në një email të datës 13 maj 2011, të bërë publik së fundi, ish-nënadmirali William McRaven shkruante: “Ka diçka që duhet të theksoj përsa i takon fotove, sidomos atyre të trupit të Bin Laden. Në këtë pikë, të gjitha fotografitë duhet t’i ishin kthyer CIA-s. Nëse i keni ende, shkatërrojini menjëherë ose dërgojini në…..”.

Emali u sigurua nga grupi aktivist konservator Judicial Watch, i cili ka kërkuar me insistim publikimin e fotove të sulmit në Pakistan, që i mori jetën liderit të shumëkërkuar të Al Kaedës.

Pjesa më e madhe e tij është redaktuar dhe ajo çfarë mbeti i është dërguar grupit në fjalë pas kërkesës së tij, bazuar në aktin mbi lirinë e shtypit. Kërkesa ishte depozituar pak ditë përpara udhëzimeve të nënadmiralit McRaven dhe ishte pasuar edhe nga çelja e një procesi gjyqësor.

Pavarësisht apeleve të vazhdueshme për këtë informacion dhe një gjyqi në zhvillim u dha direktiva e qartë për shkatërrimin e gjurmëve, thotë presidenti i grupit Tom Fitton, dhe kjo mund të përbëjë shkelje të ligjit.

Disa ditë pas blicit, presidenti Barack Obama deklaroi se nuk do ta autorizonte publikimin e fotove të trupit të Bin Laden, me argumentin se kjo mund të përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.

Është e rëndësishme për ne, do të pohonte ai atëherë për CBS, që pamjet e një personi të qëlluar në kokë të mos shpërndahen poshtë e lartë e të përdoren si armë propagande për të nxitur akoma më shumë dhunën.

Zyrtarë të FBI-së pohuan gjithashtu se publikimi i fotove të tilla do të përbënte një shqetësim madhor, për shkak se mund të nxiste rekrutimet e reja në radhët e Al Kaedës, ndërsa Bin Laden do të shndërrohej në një martir.

Top Channel