Maqedonia nuk mund të ketë president legjitim, pa votat e shqiptarëve.
Kështu thonë nga partia shqiptare në qeverinë e Shkupit, BDI. Kjo parti nuk do ta njohë kryetarin e ri të vendit, nëse partneri maqedonas i koalicionit qeveritar e refuzon përfundimisht nismën për të garuar në zgjedhjet presidenciale me një kandidat të përbashkët.
BDI-ja e Ali Ahmetit po shqyrton edhe mundësinë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk respektohet vullneti i shqiptarëve.
“Ne nuk e quajmë bojkot, ka forma të ndryshme, që mund të realizohet bojkoti. Nuk ka një vendim. Është një nga opsionet e BDI-së, që nuk do të ketë pjesëmarrje në asnjë cikël zgjedhor, ku nuk do të respektohet vullneti i shqiptarëve. Nuk bëjmë fjalë për këtë cikël zgjedhor, por për cilindo cikël në të ardhmen”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Edhe lëvizja qytetare “Zgjohu” vlerëson se presidenti i ardhshëm i Maqedonisë nuk do të jetë legjitim pa votat e shqiptarëve.
Madje, kjo lëvizje, disa ditë më parë, ka ftuar shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Duke komentuar thirrjen e “Zgjohu” për bojkot, partia opozitare e Menduh Thaçit ka thënë se kjo lëvizje është e politizuar dhe përdoret nga BDI-ja e Ali Ahmetit për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shqiptarëve.
“Apeli i tyre për zgjedhjet presidenciale është identik si i Alisë, ose një president maqedonas, që e pëlqen Alia, Artani dhe Ermira, ose bojkot! ‘Zgjohu’ bën sikur zgjohen vetëm kur, nga Reica, i japin urdhër të ftojë gazetarët gjasme po flet shoqëria civile, që të mashtrojë opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Lidhur me bojkotin e mundshëm të presidencialeve është prononcuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski. Ai ka thënë se nëse partitë shqiptare bojkotojnë zgjedhjet do të bënin gabim të madh.
Top Channel