Mostrat e naftës së përdour nëpër shkollat e Prishtinës, të cilat sipas Komunës së Prishtinës kishin rezultuar me sasi të lartë të squfurit, tashmë janë dërguar për ekspertizë në një institut të Holandës.

Këtë lajm e konfirmoi kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një debati me qytetarë dhe shoqërinë civile. Verifikimi i mostrave jashtë vendit, pra nga një palë e tretë, mbase do të heqë çdo dyshim – sipas tij – dhe në të njëjtën kohë do të sqarohen të gjitha deklaratat kundërthënëse.

“Tashmë jemi marrë vesh që, për çdo furnizim, përpara se të futet në rezervuaret e shkollave, do të merren mostrat, ku një mostër e merr shkolla apo komuna dhe një tjetër e merr kompania, dhe presim rezultatet e hetimit të iniciuar nga Prokuroria. Tashmë, besoj se brenda të enjtes do të përfundojnë të gjitha shkollat dhe çerdhet, që janë ngrohur me naftë. Po ashtu i kemi mostrat e ruajtura dhe, siç kam thënë edhe më herët, jo se nuk u besoj, por janë dy kompani të licencuara në Kosovë. Kam thënë se komuna do t’i dërgojë edhe për një super analizë jashtë vendit, për të konfirmuar edhe njëherë rezultatin, gjë që do të shërbejë si një rast i mjaftueshëm edhe ndaj Prokurorisë, që të iniciojë hetime edhe më të gjera”, tha Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës.

Ahmeti tha se Insituti i Shëndetit Publik nuk ka dhënë përgjigje se çfarë dëmi mund t’i shkaktojë shëndetit të njëriut prania e 700 ppm të squfurit, në një hapësirë publike siç është shkolla. Por, këtë e shpjegon përfaqësuesi i OBSH-së.

“Pozimi afatshkurtër në emetimet përgjegjëse të produkteve që përmbajnë squfur mund të shkaktojë irritim të lëkurës, syve dhe membranave mukozare, si dhe efekte respiratore. Përqëndrimi i lartë i grimcave të ndikuara nga squfuri çon në rritje të vdekshmërisë dhe shtrime spitalore, si pasojë e problemeve kardiovaskulare”, tha Skënder Syla, përfaqësues i OBSH.

“Pranohet publikisht dhe zyrtarisht që nuk ka asnjë kompani në Kosovë, që ka licencë për të importuar këtë lloj vaji për ngrohje, sipas nenit përkatës të udhëzimit administrativ”, tha Jusuf Thaçi, drejtor i Arsimit në KK, Prishtinë.

Shqetësime lidhur me këtë çështje shprehën edhe disa qytetarë. Sipas tyre, kjo çështje po mundohet të mënjanohet nga njerëzit e pushtetit.

Inspektoriati i Prishtinës, në bashkëpunim me hetuesinë e krimeve ekonomike, po vazhdojnë ende marrjen e mostrave në të gjitha institucionet shkollore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA