
Prej dy ditësh në mediat dhe rrjetet sociale futbollistike është ndezur debati mbi moshën e një futbollisti të skuadrave zinxhir të Lacios.
Joseph Minala luan për skuadrën U17 të Lacios. Në dokumentat e federatës italiane të futbollit ai figuron 17 vjeç, por që prej publikimit të fotove të futbollistit, shumë kanë vënë në pikëpyetje moshën e tij.
Në fakt Minala, me vendlindje Senegalin tregon shumë më tepër. Madje ditën e mërkurë qarkulloi një lajm sipas të cilit vetë futbollisti ka pranuar për mediat në vendlindjen e tij se mbush plot 42 vjeç në muajin gusht.
Lajmi është përhapur me shpejtësi në media duke shkaktuar reagimin e vetë futbollistit dhe skuadrës së Lacios.
“Në lidhje me lajmet e përhapura se fundmi në media mbi moshën e Joseph Minala-s, konfirmojmë me bindje të plotë se në dokumentacionet e tij të dorëzuara në organet përkatëse nuk ka asnjë parregullsi, ndaj denoncojmë përpjekjen e radhës nga ambientet armiqësore për të hedhur baltë mbi klubin dhe vetë lojtarin. Kërkojmë ndalimin e këtyre aksioneve dhe rezervojmë reagimin ligjor kundrejt përgjegjësve të këtyre informacioneve dhe në ruajtje të emrit të mirë të shoqërisë dhe lojtarit”, thuhet në reagimin e Lacios.
Pra për shoqërinë bardhekaltër Minala është 17 vjeç. Por as reagimi i klubit nuk bind, nisur nga rastet e mëherëshme të verifikuara në elitën e futbollit italian, ku lojtarë kanë ulur moshën e tyre në dokumenta. Njëri prej tyre ishte Obafemi Martins, ish-lojtar i Interit.
Top Channel