Kina dhe Tajvani mbajtën ditën e martë takimin e tyre të parë të nivelit të lartë që prej përfundimit të Luftës Civile Kineze në vitin 1949.
Wang Yu-Chi dhe Zhang Zhijun, dy zyrtarët më të lartë që mbikqyrin marrëdhëniet dypalëshe në vendet përkatëse, u takuan në një samit 4-ditor në qytetin e Nanjingut.
Asnjë axhendë zyrtare nuk u publikua për këto takime, të cilat konsiderohen prej ekspertëve si një test i ndërsjelltë besimi përpara angazhimit në bisedime më të thella.
Kina e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe në të shkuarën, bisedmet e vetme që janë mbajtur midis dy palëve kanë qenë ato të realizuara në kuadrin e organizatave ndërkombëtare ku të dy vendet janë anëtare.
Zhang, kreu kinez i zyrës së marrëdhënieve me Tajvanin u shpreh optimist për përmirësimin e relatave në një të ardhme të afërt, duke thënë se “është e pamundur të imagjinohej ky takim deri pak kohë më parë”.
Nga ana e tij, homologu tajvanez i cilësoi këto takime si “fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis dy shteteve”.
“Për ne, fakti i vetëm që jemi ulur në një tavolinë për të biseduar mbi çështje të ndryshme është një hap i madh përpara”, tha Wang.
Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, në dhomën ku u zhvillua takimi nuk figuronin flamujtë kombëtarë të asnjërit prej dy vendeve.
Tajvani u shpall i pavarur në vitin 1949, pasi forcat nacional-demokratike që humbën në luftën civile u zhvendosën në ishull, ku themeluan një shtet të ri.
Pekini këmbëngul që Tajvani është pjesë e Kinës dhe nuk e ka fshehur kurrë synimin për të rifituar këtë territor.
Top Channel