“Duhet një tranzicion urgjent”/ Sulmi amerikano-izraelit ndaj Iranit, von der Leyen: Përshkallëzimi i konfliktit është real
Pjesëtarë të familjeve mafioze si Gambino dhe Bonanno kanë qenë mes 24 personave të arrestuar gjatë së martës në New York dhe disa qytete të Italisë, pas një maksi-operacioni antimafia, bëjnë të ditur autoritetet.
FBI dhe policia italiane ndërmorën operacionin “Ura e re”, që kishte në shënjestër mbi 40 persona për trafik ndërkombëtar droge dhe krim të organizuar, në lidhje me mafian e kalabreze.
Policia italiane arrestoi 17 të dyshuar, njoftoi prokurori antimafia Franco Roberti për reporterët, gjatë një konference për shtyp në Romë. FBI-ja arrestoi 7 persona në New York, pas një sulmi të koordinuar, – shtoi ai, – përfshi dhe anëtarë të familjeve Gambino dhe Bonanno.
Zyra e Prokurorit të SHBA-ve në Distriktin Lindor të New York-ut njoftoi edhe emrat e 7 të dyshuarve: anëtari i ‘Ndrangheta’-s Raffaele Valente, i njohur ndryshe si “Lello”, asociuesi i Gambino-ve Franco Lupoi, asociuesi i Bonanno-ve Charles Centaro, i njohur ndryshe si “Charlie Pepsi”, Dominic Ali, Alexander Chan, Christos Fasarakis dhe Jose Alfredo Garcia, i njohur ndryshe si “Freddy”.
Të pandehurit akuzohen për trafikim lëndësh narkotike, pastrim parash dhe sulme me armë zjarri, “bazuar veçanërisht në pjesëmarrjen e tyre në konspiracionet internacionale të heroinës dhe kokainës, përfshi dhe ‘Ndrangheta-n’, një prej sindikatave më të fuqishme të krimit të organizuar”, thuhej në publikimin e mësipërm.
Të 7 të akuzuarit nuk pranuan fajësinë të martën, pas një sërë akuzash në gjykatën federale të Brooklyn. Më pas, 4 prej tyre, – Valente, Lupoi, Chan dhe Garcia, – janë arrestuar pa të drejtë lirimi me kusht, një opsion që do të merret në konsideratë më vonë. Veç akuzave për drogën dhe pastrimin e parave, Valente dhe Lupoi akuzohen gjithashtu edhe për shitjen e silenciatorëve të paregjistruar të armëve të zjarrit.
Ndërkohë, Centaro, Fasarakis dhe Ali janë lënë të lirë me kusht. Duke qenë se këtyre u janë sekuestruar pasaportat, edhe lëvizja brenda territorit të Shteteve të Bashkuara do të jetë e kufizuar për ta.
Detyrimi i lirimit me kusht për Ali ka qenë 1,4 milionë dollarë, ndërkohë që për dy të tjerët nga 1 milionë dollarë. Hetuesit, të cilët kanë folur në një konferencë për shtyp në Romë, thanë se paratë e gjetura gjatë ofensivës shkojnë me qindra-mijëra dollarë.
Operacionet në Itali janë zhvilluar në rajonin jugor të Kalabrisë, zona e preferuar e sindikatës së ‘Ndrangheta-s’, si dhe në qytetet e Napolit, Kazertës, Torinos, Beneventos dhe Katanxaros. Familja mafioze italiane e përfshirë në aleancë, apo në “Urën e re”, së bashku me familjen Gambino, quhet Ursino Ionica.
Operacioni i së martës ka qenë i pari në histori i kryer në bashkëpunim mes policisë amerikane dhe asaj italiane, të cilët kanë goditur lidhjet mes familjeve mafioze të ‘Ndrangheta-s’ në të dy vendet, thanë hetuesit.
Prokurorët e antimafias në Kalabri kanë nisur një hetim që prej 2 vjetësh, teksa policia italiane ka hartuar një raport 2000 faqesh, ku detajohen gjithçka është mësuar, përfshi informacionet nga përgjimet telefonike.
Top Channel