
Një ish-marinar i marinës së Shteteve të Bashkuara është dënuar me 30 vjet burg për tentativë spiunazhi, raportojnë mediat amerikane.
Një gjykatë federale në Norfolk të Virxhinias deklaroi se Robert Hoffman, 40 vjeç, u kishte kaluar informacione sekrete disa personave që ai mendonte se ishin agjentë rusë.
Por në të vërtetë ata ishin agjentë të FBI-së që shtireshin si të tillë. Prokurorët deklaruan se Hoffman, një ish-kriptolog në nëndetëset amerikane, kishte dhënë informacione sekrete për gjurmimin e anijeve.
“Duke u përpjekur të dorëzonte disa nga sekretet ushtarake më të rëndësishme për Amerikën, Robert Hoffman vuri në rrezik vendin dhe anëtarët e marinës së Shteteve të Bashkuara”, deklaroi prokurori John Carlin pas dhënies së dënimit.
“Ky proces duhet të shërbejë si paralajmërim për të tjerët që do të kompromentonin sekretet e kombit tonë”, shtoi zyrtari. Hoffman ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2012 dhe ishte shpallur fajtor në gusht të vitit të kaluar.
Top Channel