Shtëpitë përgjatë brigjeve të Tamizit në Britani po evakuohen e mijëra të tjera janë të rrezikuara nga rritja e nivelit të ujit, që parashikohet të vazhdojë edhe përgjatë 24 orëshit të ardhshëm.
Të përballur me përmbytje të përmasave të mëdha, banorët e zonave të prekura flasin për skena si “ato të një filmi horror”. 14 paralajmërimë për vërshime uji janë në fuqi në Berkshire dhe Surrey.
Kryeministri David Cameron ka mbërritur në rajonet jugperëndimore për të parë nga afër gjendjen e krijuar.
Në fshatin Datchet të Berkshire, shtëpi, dyqane e biznese, janë krejtësisht nën ujë. Mediat vendase raportojnë se instrumentet matëse të ujit në Tamiz tregojnë nivelet më të larta, që prej instalimit të tyre në vitet ’80.
Sekretet shtetërore në Kinë
Rregullat e reja: Asnjë informacion që dëmton imazhin nuk del në publik
Qeveria kineze publikoi rregulla të reja rreth ligjit të saj famëkeq mbi sekretet shtetërore, të përdorura në të kaluarën për t’i mohuar publikut informacionin rreth tyre, duke qenë se mund të dëmtonte imazhin e partisë, ose të ndikonte te ndërmarrjet shtetërore.
Megjithatë, rregullat në fjalë nuk e bëjnë të qartë se çfarë mund të përkufizohet si sekret shtetëror.
Ligji ekzistues është kritikuar për një kohë të gjatë, për moslejimin e përhapjes së informacionit mbi shqetësime të ndryshme, si përhapja e sëmundjeve dhe statistikat financiare, për shkak të konfuzionit se çfarë përbën një sekret shtetëror.
Në sajë të gjuhës së paqartë të ligjit, shumë zyrtarë zgjedhin ta mbajnë sekret informacionin, në vend që ta bëjnë publik për qytetarët dhe të rrezikojnë burgun.
Qeveria, jashtë politikës
Propozimi, nga biznesmenët e Tuzlës në Bosnje-Hercegovinë
Biznesmenët e Tuzlës prezantuan disa kërkesa konkrete për të përmirësuar situatën e përgjithshme, jo vetëm atje, por në të gjithë Bosnjen.
Ideja është për të formuar një qeveri, që do të përbëhej nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe që do të punonte vetëm për të mirën e qytetarëve.
Ata këmbëngulin në zgjedhjen e një qeverie, e cila të përbëhet nga persona jashtë politikës, që dëshirojnë të kontribuojnë në përmirësimin e situatës.
Deri tani, të gjithë e kanë injoruar ekonominë dhe ishin të pandjeshëm ndaj gjendjes shoqërore, thonë biznesmenët.
Objektivi kryesor i ekzekutivit të ri, sipas tyre, duhet të jetë rritja e punësimit dhe nxitja e bizneseve të reja.
Formimi i qeverisë teknike mbështetet edhe nga shumë të tjerë, që e konsiderojnë rrugëdaljen e vetme nga kriza që ka mbërthyer vendin.
Top Channel