OKB për evakuimin e banorëve të Homsit

11/02/2014 15:40

Largimi nga Homsi nuk ishte fundi i makthit për të gjithë civilët e shpërngulur mes aq shumë mundimesh nga qyteti, prej 18 muajsh nën rrethim.

Më shumë se 300 burra e djem të rinj janë ndaluar nga autoritetet siriane për kontroll, pasi kanë lënë qytetin e vjetër falë armëpushimit treditor.

Guvernatori i Homsit, Talal Barazi, thotë se 111 prej tyre janë marrë në pyetje e pastaj janë lënë të lirë, ndërsa 190 të tjerë po mbahen nën mbikqyrje. Episodi ka ngjallur shqetësimin e Kombeve të Bashkuara.

“Është shumë e rëndësishme, që të ndaluarit të mos lëndohen. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim, që ata të trajtohen siç duhet, ashtu siç e dikton ligji ndërkombëtar humanitar dhe ai i të drejtave të njeriut”, tha Rupert Colville, OKB.

Zëdhënësja e UNHCR-së, Melissa Fleming, tha se të ndaluarit po mbahen në ndërtesën e një shkolle të braktisur.

“Jemi duke e monitoruar me kujdes situatën. E dimë shumë mirë sa njerëz janë atje, i kemi numëruar dhe i dimë cilët janë”, tha Melissa Fleming.

Që prej vendosjes së armëpushimit, të premten, qytetin gjysmë të rrënuar e kanë lënë më shumë se 1,100 vetë dhe shtyrja e armëpushimit me tre ditë i shtoi shpresat e organizatave të ndihmës për të nxjerrë civile të tjerë prej andej.

Shumë banorë të Homsit i kanë parë pasojat therëse të rrethimit 18-mujor, të përkthehen në mungesë ushqimesh apo trajtimi mjekësor. Disa nga të evakuuarit folën për njerëz që jetojnë nëpër tunele nëntokësore e ushqehen vetëm me rrënjë bimësh.

Edhe pse operacioni i ndihmës duhet të ishte tërësisht i sigurt, 11 persona kanë mbetur të vrarë gjatë evakuimit. Sipas zyrtarëve të OKB-së, ata janë shënjestruar qëllimisht, por nuk dihet me saktësi se mbi kë rëndon përgjegjësia e këtij sulmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA