Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, nisi të gjykohet të martën nga Gjykata e Napolit për tentativën e korruptimit të një senatori në vitin 2006.
Sipas akuzës, Berlusconi i dha tre milionë euro senatorit De Gregorio për të kaluar në radhët e partisë së tij, duke dobësuar ndjeshëm shumicën e qeverisë në parlament.
Në bazë të ligjit italian, i pandehuri nuk është i detyruar që të paraqitet në gjykatë dhe në mbrojtje të Berlusconit do të jenë vetëm avokatët e tij mbrojtës.
Berlusconi humbi imunitetin e tij parlamentar në fund të 2013-s, kur u përjashtua nga Parlamenti për shkak të dënimit të tij të formës së prerë për evazion fiskal.
Ish-kryeministri 77-vjeçar mohon akuzat e ngritura ndaj tij.
Një ish-gazetar, Valter Lavitola, gjykohet njëkohësisht në këtë proces, pasi dyshohet se shërbeu si sekser për Berlusconin.
Dy ditët e para të procesit nuk pritet të sjellin asgjë interesante, ndërsa fjalimet do të jenë vetëm proceduriale.
Berlusconi vazhdon të mbetet një figurë e rëndësishme e opozitës italiane, si lideri i partisë “Forza Italia”.
Në një marrëveshje të arritur më parë gjatë Janarit me Partinë Demokratike në pushtet, Berlusconi pranoi që të japë mbështetjen e tij për realizimin e disa ndryshimeve kushtetuese dhe për kalimin e një ligji të ri elektoral.
Top Channel