Hollande-Obama kujtojnë Jefferson-Lafayette

11/02/2014 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande, ka mbërritur në SHBA për një vizitë shtetërore, teksa ai dhe presidenti Barack Obama duan të vënë në pah bashkëpunimin e tyre për çështje nga Irani, te tregtia e lirë e deri te ndryshimet klimatike.

Në artikujt e publikuar si në gazetat franceze dhe ato amerikane, ata thonë se “partneriteti ynë i thellë ofron një model për bashkëpunim ndërkombëtar”. Një darkë shtetërore pritet të mbahet të martën.

Udhëtimi vjen pasi presidenti Hollande është zhytur në vlerësimet më të ulta në vendin e tij, për shkak të një skandali personal.

Pas mbërritjes së Hollande, mbrëmjen e së hënës, ai dhe Obama udhëtuan drejt Monticello, në shtetin e Virxhinias, shtëpia e Thomas Jefferson, një prej themeluesve të SHBA-ve, i dërguar në Francë dhe presidenti i 3 i SHBA-ve.

Të dy ata vizituan shtëpinë e Jefferson, ashtu si dhe kampusin e Universitetit të Virxhinias, duke ndaluar në dhomën e tij të studimit, në kuzhinë, si dhe në periferitë e skllevërve, të cilët ndihmuan në krijimin e më pas drejtimin e shtetit.

Në deklaratat e tyre pas turit, Hollande tha se Monticello ishte një simbol i marrëdhënieve SHBA-Francë, “sepse këtu Marquis de Lafayette u mirëprit”. Ai iu referua aristokratit francez, i cili shërbeu në Ushtrinë Kontinentale, që mposhti britanikët, duke fituar pavarësinë amerikane.

“Së bashku, Lafayette dhe Jefferson imagjinuan diçka që dukej e pamundur, kryesisht pavarësinë amerikane dhe të drejtat e njerëzimit, por edhe të drejtat e qytetarëve”, tha Hollande, nëpërmjet një përkthyesi.

Presidenti amerikan tha se vizita ishte një mundësi për të reflektuar ndaj historisë së marrëdhënieve SHBA-Francë.

“Të martën do të kemi mundësi të flasim jo vetëm për detyrimet dhe aleancat aktuale, por edhe për mënyrat se si të përforcojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen”, tha Obama.

Në artikujt e publikuar, si nga “Washington Post” edhe “Le Monde”, të hënën, presidentët lavdëruan përpjekjet e tyre në Lindjen e Mesme, përfshi negociatat me Iranin, që çuan drejt një marrëveshjeje të përkohshme mbi programin e diskutueshëm bërthamor të tyrin, si dhe mbi Sirinë, ku ata thanë se kërcënimi për përdorimin e forcës së tyre “i hapi rrugën planit për eliminimin e armëve kimike të Sirisë”.

Obama dhe Hollande nxitën gjithashtu veprimtarinë për të luftuar ndryshimet klimatike, duke theksuar se vendet e tyre “duhet të zgjerojnë partneritetin për energjinë e rinovueshme, që krijon vende të reja pune dhe hedh një hap përpara drejt rritjeve në nivele minimale të karbonit”.

Lidhjet mes dy kombeve janë ngrohur së tepërmi, që kur Franca refuzoi të mbështeste invazionin e drejtuar nga SHBA-të në Irak, nën drejtimin e presidentit George W. Bush.

Me smirën ndaj luftës në Irak, tashmë një kujtim të venitur, dy vendet e gjejnë veten tashmë përpara një rangu të gjerë çështjesh e problematikash.

Por, pragvizita e Hollande u errësua nga situata jo fort e mirë e tij në Francë. Partnerja prej një kohe të gjatë e tij, Valerie Trierweiler, nuk udhëtoi me të, pas problemeve në marrëdhënien e tyre, që nisën me akuzat se ai kishte pasur një marrëdhënie të padeklaruar me një aktore.

Të martën, Hollande dhe Obama do të zhvillojnë bisedime bilaterale mbi rikuperimin e ekonomisë globale, forcimin e Eurozonës, përpjekjet e presidentit francez për të forcuar ekonominë franceze, Iranin, si dhe çështje të tjera aktuale, bëjnë të ditur zyrtarët amerikanë.

Pas një konference të përbashkët për shtyp, Hollande do të drekojë me zv/presidentin amerikan, Joe Biden, si dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, në Departamentin e Shtetit.

Në mbrëmje, Obama do të presë Hollande për një darkë bujare zyrtare në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë udhëtimit të tij në SHBA, Hollande do të vizitojë gjithashtu San Francisco-n, për t’u takuar me shefat e gjigantëve të Silicon Valley, përfshi këtu “Facebook”, “Twitter” dhe “Google”.

Atje, ai mund të përballet me pyetje rreth dëshirës së qeverisë së tij për të taksim uniform mbi kompanitë e internetit, shumica e të cilave i kanë bazat në SHBA, të cilat përballen me taksa shumë të larta në Francë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA