
Bashkimi Evropian ka rënë dakord që të nisë negociatat me Kubën, me synim rivendosjen e plotë të marrëdhënieve dypalëshe me ishullin komunist.
Bisedimet, që mund të nisin në fillim të muajit të ardhshëm, do të kenë si synim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, si dhe zhvillimin e një dialogu për të drejtat e njeriut.
Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë të BE-së. Që prej vitit 1996, Bashkimi Evropian ka kufizuar lidhjet e tij me Kubën për të nxitur krijimin e një demokracie pluraliste dhe progresin në respektimin e të drejtave të njeriut.
Blloku evropian është partneri i dytë në shkëmbimin tregtar me Kubën, pas Venezuelës. Ai përbën një burim madhor investimi dhe qindra mijëra turistë evropianë vizitojnë çdo vit ishullin.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton theksoi se të drejtat e njeriut mbeten thelbi i marrëveshjeve të unionit me Kubën.
“Këto negociata do të ndihmojnë në konsolidimin e angazhimit tonë me Kubën, e cila shpresoj se do ta pranojë ofertën tonë”, deklaroi Ashton.
Njoftimi i Brukselit vjen në një moment kur Kuba është e angazhuar në reforma ekonomike dhe sociale të nisura nga presidenti Raul Castro.
Ambasadori i BE-së në Havana, Herman Portocarero deklaroi se bisedimet vijnë në përgjigje të ndryshimeve “serioze” që po verifikohen në Kubë.
“Ndryshimet në shoqërinë kubaneze janë të pakthyeshme dhe ne duam të jemi pjesë e tyre”, tha Portocarero për BBC.
Top Channel