Algjeri, rrëzohet avioni, 102 viktima

11/02/2014 00:00

Një avion ushtarak transporti u rrëzua në një rajon malor në juglindje të Algjerisë me 103 pasagjerë e anëtarë ekuipazhi në bord.

Avioni, një “Hercules C-130”, ka qenë duke transportuar personel ushtarak dhe të afërm të tyre.

Mediat vendase thonë se një person i mbijetoi aksidentit, teksa mjeti u dëmtua keqazi, dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Mes viktimave të fatkeqësisë ajrore ka edhe gra e fëmijë. Besohet se destinacioni final ka qenë qyteza Tamanraset në Sahara, por avioni po bënte një ndalesë gjatë rrugës.

Kontaktet me të humbën pikërisht gjatë përpjekjeve për ulje. Rrëzimi ndodhi në malet Djebel Fertas, 380 km në lindje të kryeqytetit Algjer.

Shkak i aksident mendohet të jetë bërë moti i keq dhe erërat e forta në zonë.

Një avion “Boeing 737”, i kompanisë ajrore “Air Algerie”, u rrëzua në të njëjtin vend në vitin 2003, po me 103 persona në bord dhe me një koincidencë të çuditshme.

Edhe atëherë, vetëm një person shpëtoi nga vdekja.

Top Channel