
Një vajzë afgane është diagnostikuar me poliomelit në Kabul, në atë që rezulton rasti i parë në kryeqytetin e Afganistanit, që prej rrëzimit të regjimit të talebanëve në vitin 2001.
Ministria e Shëndetësisë urdhëroi një fushatë vaksinimi në të gjithë kryeqytetin, pas diagnostikimit të 3-vjeçares me poliomelit, një sëmundje që mbetet endemike në Afganistan, Pakistan dhe veriun e Nigerisë, por që thuajse është zhdukur nga vendet e tjera të botës.
Në këto 3 vende, ekstremistët islamik kanë penguar punonjësit e shëndetësisë, duke mos lejuar fushatat për parandalimin dhe çrrënjosjen e poliomelitit.
Që kur talebanët afganë ndërruan politikat e tyre, duke lejuar vaksinimin gjatë viteve të fundit, ka pasur një rënie të madhe të rasteve në Afganistan. Rreth 80 raste u zbuluan në vitin 2011, 37 në vitin 2012 dhe 14 në vitin 2013. Emergjenca për një rast të ri në Kabul ka shqetësuar zyrtarët e shëndetësisë.
Rasti i fundit u zbulua në një komunitet tepër të varfër, në Kuchis, dikur barinj endacakë, tashmë të vendosur në një shpat kodre në lindje të kryeqytetit.
Në reagimin e parë, punonjësit e shëndetësisë janë përpjekur të vizitojnë çdo shtëpi të këtij komuniteti, ku ende jetojnë pa ujë dhe pa elektricitet. Disa prej këtyre ish-endacakëve ende jetojnë nëpër tenda, pavarësisht të ftohtit dimëror në Kabul.
Sapo punonjësit u hedhin pikat e vaksinës në gojë foshnjave të gjetura, ata shënojnë nga një vijë blu në duar dhe shkruajnë datën në mur. Duket si diçka elementare, por dhjetra mijëra vullnetarë në fushata të tilla në mbarë vendin kanë pasur sukses në si të thuash mposhtjen e sëmundjes.
Vajza e prekur nga sëmundja, Sakina, u diagnostikua pasi ishte paralizuar. Babai i saj është një taksist, i cili shkon shpesh në rajonin kufitar me Pakistanin, ku dhe e ka dërguar vajzën për trajtim mjekësor.
Xhaxhai i saj, Mohammed Azim, tha se ajo ishte ankuar: “S’mund të qëndroj ngritur. Fëmijët e tjerë po luajnë dhe unë s’mundem”.
Lloji i poliomelitit në dy vendet është identik dhe, me 1,5 milionë fëmijë që kalojnë kufijtë çdo vit, transmetimi përtej kufijve është thuajse i paevitueshëm. Pothuajse të gjitha rastet në Afganistan, vitin e kaluar, u hasën në rajonet pranë kufirit me Pakistanin.
Top Channel