Ushtrimet ushtarake SHBA-Kore e Jugut

10/02/2014 15:45

Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës informuan se ushtrimet e tyre të përvitshme ushtarake do të mbahen nga data 24 Shkurt, deri në 18 Prill, pavarësisht irritimit dhe paralajmërimeve të shprehura nga Korea e Veriut.

Peniani paralajmëroi të dy shtetet kundër kësaj stërvitje gjatë javës së shkuar, duke i konsideruar ushtrimet si “manovra lufte”. Ushtrimet e përvitshme ushtarake synojnë të simulojnë një përgjigje reale, ndaj një sulmi të beftë të Koresë së Veriut.

Besohet se kjo shpallje mund të motivojë Korenë e Veriut që të tërhiqet nga një marrëveshje e arritur më parë gjatë Shkurtit me Seulin, për mbajtjen e takimeve midis familjeve të ndara që prej Luftës Koreane të viteve 1950-53.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën zhgënjimin e tyre që Veriu anulloi takimin e paracaktuar të një zyrtari amerikan me Kenneth Bae, një shtetas amerikan i burgosur në shtetin diktatorial.

Teknikisht, dy Koretë konsiderohen ende në gjendje lufte midis tyre, pasi lufta civile që ndau gadishullin në dy shtete përfundoi në vitin 1953 me një armëpushim, por pa nënshkrimin e ndonjë paqeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA