
Rreth 300 persona të tjerë janë nxjerrë nga qyteti sirian i Homsit, nën rrethim prej 18 muajsh. Evakuimet e fundit, ashtu si dhe ato para tyre, ishin pasojë e shtrirjes së armëpushimit treditor në pjesën e vjetër të qytetit.
Valën e fundit të largimeve, Gjysmë Hëna e Kuqe siriane e konfirmoi nëpërmjet rrjetit social Twitter. Me qindra civilë u lejuan të shpërngulen nga Homsi këtë fundjavë, pasi guvernatori lokal pranoi armëpushimin e negociuar nga Kombet e Bashkuara.
Zhvillimet e fundit vijnë në kohën kur negociatorët e regjimit sirian dhe ata të opozitës rinisën bisedimet e paqes në Gjenevë. Por edhe këtë radhë, pritshmeritë për progres janë të pakta.
Kundërshtarët e Bashar al Assad kërkojnë angazhimin e qeverisë në hartimin e një deklarate e cila të apelojë për krijimin e një administrate tranzicioni me autoritet të plotë ekzekutiv. Qeveria e Assad përjashton çdo transferim të pushtetit.
Raundi i parë i negociatave përfundoi muajin e kaluar pa asnjë marrëveshje konkrete dhe të dyja palët nuk i kursyen akuzat e ofendimet për njëra-tjetrën.
Në tre vitet e tij, konflikti sirian ka marrë 100.000 jetë njerëzish e ka detyruar 9 milionë e gjysmë të tjerë të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa në vend mbizotëron dhuna e kaosi. Ekspertët e mendojnë të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë të ngërçit sirian.
Në terren, edhe përgjate konferencës së paqes, luftimet vazhdonin. Ushtria i qëndron besnike regjimit në Damask, ndersa opozita është e përçarë dhe e paaftë që të rrëzojë e bashkuar presidentin Assad.
Më shumë se 200 grupe rebele luftojnë sa forcat qeveritare, ashtu edhe njëri-tjetrin. Si pasojë, fitorja e njërës apo e tjetrës palë është e përjashtuar.
Top Channel