Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u diskutua raporti tremujor për Kosovën.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur si progres mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e Kosovës, procesin e integrimit europian dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai kërkoi që shtetet, që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta marrin këtë hap, pasi Kosova pas pak ditësh mbush 6 vjeç shtet dhe meriton të jetë anëtar i OKB-së.

Rëndësi të madhe për popullin e Kosovës, sipas tij, është se mori fund pjesërisht edhe izolimi prej më shumë se 2 dekadash ndaj sportistëve kosovare, ku FIFA ka arritur mirëkuptimin, që Kosova të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare.

Thaçi tha se në Prill të këtij viti bëhet një vit nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi, marrëveshje që, sipas opinionistëve dhe diplomatëve botërorë, “duhet të shërbejë si model për të zgjedhur grindjet që shqetësojnë rajonin dhe më gjerë”.

Në fund, ai ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit, që të konsiderojë transformimin e UNMIK-ut në zyrë politike të OKB-së.

Nga ana tjetër, kryeministri serb, Ivica Daçiç, është shprehur se Serbia është e gatshme për normalizim të raporteve dhe për pajtim në rajon.

Daçic ka theksuar se Serbia është e gatshme për dialog, që është edhe qëllim i zgjidhjes së të gjitha çështjeve, por ka thënë se nuk është dhe nuk do të jetë e gatshme që ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

“Gatishmëria e Serbisë për dialog dhe kompromis nuk do të thotë se ne jemi dobësuar dhe që këtë ta shfrytëzojnë për afirmimin e shpalljes së njëanshme të Pavarësisë”, tha Daçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA