Obama-Hollande, thirrje për klimën

10/02/2014 15:35

Presidenti i Francës, Francois Hollande dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, lëshuan një thirrje të përbashkët për një marrëveshje globale ambicioze, që synon të mbrojë planetin nga ndryshimet klimaterike.

Thirrja u shpall të hënën njëkohësisht në gazetat “Washington Post” dhe “Le Monde”.

Presidentët kërkuan një mbështetje për këtë marrëveshje që synon të reduktojë emetimet e gazeve nëpërmjet veprimeve konkrete, që do të miratohen në një konferencë që pritet të mbahet në Paris në vitin 2015.

Marrëveshja shpallet ndërsa presidenti Hollande viziton Uashingtonin këtë të hënë në një vizitë zyrtare.

“Ne mund të shpresojmë në rritjen e energjisë së rinovueshme që krijon vende pune, duke reduktuar emetimet e dëmshme të karbonit”, shkruanin liderat në artikullin e përbashkët.

“Ne mund të bëjmë më shumë për të inkurajuar vendet në zhvillim që të mbështeten gjithmonë e më shumë tek energjia e pastër dhe tek përballimi i kostove të rritjes së detit dhe stuhive të fuqishme”.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Francës përjetuan një ftohje gjatë kohës së presidentit Chirac, i cili refuzoi të mbështeste pushtimin amerikan të Irakut, por gjatë drejtimit të Sarkozy dhe së fundmi Hollande, të dy vendet i janë rikthyer bashkëpunimit të ngushtë për një sërë çështjesh me interes global.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA