Çështja e narkomanes australiane

10/02/2014 00:00

E akuzuar për trafik droge, australania Schapelle Corby u la e lirë me kusht, pasi kishte kryer nëntë vjet dënim në një burg të Balit, në Indonezi.

Çështja e saj është një nga më të ndjekurat në historinë e Australisë, e shoqëruar nga një debat i gjatë publik për pafajësinë apo fajësinë e saj.

Corby ishte dënuar me 20 vjet burg në vitin 2005, e akuzuar për trafik të marjuanës në një ishull turistësh. Shumë në Indonezi e shohin estetisten si shkelëse të ligjeve të forta që ndalojnë trafikun e drogës.

36-vjeçarja ka folur vetëm për pafajësinë e saj, që prej kohës kur u kap në Bali në vitin 2004, kur në çantën e saj u gjet një sasi marijuane.

Kur doli nga burgu Kerobokan, ajo kishte mbuluar fytyrën me një shall dhe një kapele. Dhjetëra gazetarë australianë e pritën për të rregjistruar momentin e hapit të parë jashtë burgut. Ajo u dërgua në Denpasar për të përfunduar formalitetet e lirimit me kusht.

Siç raportojnë mediat, Corby nuk mund të kthehet menjëherë në Australi. Ajo duhet të qëndrojë në Indonezi deri në vitin 2017, për të përmbushur kushtet e lirimit.

Ajo jetonte së bashku me motrën Mercedes, e cila jeton në Bali. Për Schapelle Corby pati disa lehtësira të dënimit, për shkak të sjelljes së mirë.

Megjithëse ministri indonezian i Drejtesisë shpalli lirimin e saj, disa deputetë dhe grupe të luftës kundër drogës e kritikuan duke thënë se, ligjet duhet të zbatohen në mënyrë strikte.

Top Channel