Borussia e Dortmundit është dashur të përballojë shumicën e sezonit pa një numër të madh yjesh të skuadrës, si Mats Hummels, Neven Subotiç, Marcel Schmelzer, Lukas Piszczek, Jakub Blaszczykoëki apo Ilkay Gundogan.
Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto dëmtime, në prag të ndeshjes me Zenitin në Champions League, nënkampionët e Europës duhet të privohen edhe nga Reus e Sven Bender, të cilët u dëmtuan në fitoren 5-1 ndaj Werder Bremenit.
Megjithatë, për trajnerin Jurgen Klopp, kjo situatë nuk është dramatike. “Gjëja e mirë me të gjithë këto dëmtime është se tashmë kemi mësuar të përballojmë këtë gjendje”, tha Klopp, në prag të ndeshjes me Frankfurtin, në Kupën e Gjermanisë.
I pyetur në lidhje me ndeshjen e “Commerzbank Arena”, trajneri 46-vjeçar shtoi: “Është një pengesë serioze. Frankfurti është në gjendje të luajë një futboll shumë të bukur. Përballemi me një kundërshtar të fortë që do të japë maksimumin përballë nesh. Megjithatë, jemi shumë të motivuar për të arritur në gjysmëfinale”.
Top Channel