Votuesit zvicerianë kanë mbështetur ngushtësisht një referendum, që rikthen kuotat për emigrantët nga vendet e Bashkimit Europian.
Shifrat përfundimtare treguan se 50,3% e votuesve dolën pro tij, në një kohë që për aprovimin e referendumit duheshin vetëm 50% e votave në favor, duke zhvlerësuar kështu marrëveshjen mes Zvicrës dhe BE-së mbi lirinë e lëvizjes.
Zvicra nuk është shtet anëtar i BE-së, por ka adoptuar thuajse shumicën e politikave të BE-së. Brukseli e kishte paralajmëruar më herët Zvicrën, se ata nuk mundet që të zgjedhin vetëm aspektet që u pëlqejnë.
Korrespondentja e BBC-së në Gjenevë thotë se votimi ka treguar ndarjet tradicionale, teksa zonat frengjisht-folëse votuan kundër kuotave, ato gjermanisht-folëse ishin të përçara, ndërsa kantoni italisht-folës i Ticino-s votoi bindshëm në favor të tyre. Votimi në favor të referendumit do të thotë se ministrat zvicerianë do të duhet të japin disa shpjegime të ndërlikuara në Bruksel.
Votimi vjen mes rritjes së debatit anembanë Europës rreth emigracionit dhe impaktit të lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Ekonomia zviceriane është duke kulmuar në këtë moment, ndaj dhe papunësia është e ulët, por sërish shumë zvicerianë shqetësohen për emigracionin.
Rreth 1/4-ta e vendit me popullsi prej 8 milionë banorësh është e huaj, ndërkohë që vitin e kaluar rreth 80 mijë emigrantë të rinj mbërritën në Zvicër.
Që prej 2007-s, shumica e 500 milionë rezidentëve të Bashkimit Europian kanë qenë në pozita të barabarta me vendasit në tregjet zviceriane të punës, si pasojë e një politike të votuar e të kthyer në ligj përmes një referendumi të vitit 2000. Por, koalicioni i udhëhequr nga Partia Popullore e Zvicrës, parti e krahut të djathtë, kërkon tashmë të përmbysë atë marrëveshje, të cilën e cilësojnë si një gabim të madh.
Mbështetësit e kuotave për emigrantët besojnë se lëvizja e lirë ka ushtruar presion ndaj strehimit, shëndetësisë, edukimit dhe transportit. Ata argumentojnë gjithashtu se punonjësit e huaj i kanë ulur së tepërmi pagat.
Por, qeveria zviceriane dhe liderët e biznesit thonë se lëvizja e lirë është çelsi i suksesit ekonomik të Zvicrës, duke lejuar punëdhënësit të zgjedhin stafet më të afta nga e gjithë Europa. Për marrëveshjet bilaterale të Zvicrës me BE-në u deshën vite negociatash për t’u nënshkruar.
Top Channel