Pero Pejiç u prishi festën laçianëve, të cilët ishin shumë pranë fitores ndaj kampionëve në fuqi dhe kalimit në vendin e dytë të renditjes së Superiores.
Ndeshja mes Laçit dhe Skënderbeut përfundoi në barazim 2-2, një rezultat që mban këto dy skuadra në të njëjtat pozita në klasifikim.
Episodi vendimtar i pjesës së parë ishte në minutën e 33, kur serbi Brkiç kaloi në avantazh skuadrën e drejtuar nga Stavri Nica.
Në të dytën, korçarët tregohen më kërkues dhe Pejiç barazon shifrat në minutën e 55.
Ndryshimet e bëra nga Nica e sidomos hyrja në fushë e kapitenit Vucaj rigjallëruan lojën e kurbinasve, të cilët shënuan golin e dytë me Nimanin.
Atëherë kur u mendua se Skënderbeu do të pësonte humbjen e parë në kampionat, pas 3 muajsh, Pero Pejiç shfrytëzoi siç duhet harresën e mbrojtjes vendase dhe vulosi barazimin e 4 të korçarëve në këtë sezon.
Naxhi Shensoji nuk ka mundur të mposhtë ish-skuadrën e tij, ndërkohë që skuadra e Kukësit vazhdon t’i largohet pritshmërive të tifozerisë dhe presidencës së klubit. Ekipi verilindor barazoi pa gola ndaj Bylisit, një rezultat që i mban ata në vendin e 5, me 27 pikë, 10 më pak se Skënderbeu kryesues.
Në barazim pa gola përfundoi dhe sfida tjetër e së dielës, ajo mes Lushnjës dhe Kastriotit, një rezultat ky që nuk i shërben asnjërës prej këtyre dy skuadrave, të cilat mbeten në fund të klasifikimit dhe sigurisht rrezikohen për të rënë nga Kategoria Superiore.
Top Channel