Juve lëshon në fund, Roma nuk përfiton

09/02/2014 00:00

Juventus ka shpërdoruar një 45-minutësh të parë perfekt, teksa në pjesën e dytë ka humbur avantazhin e dy golave për të barazuar 2-2 me Veronën, në transfertë.

Një barazim që, gjithsesi, i lë bardhezinjtë në krye të klasifikimit dhe 9 pikë larg Romës (verdhekuqtë me 1 ndeshje më pak), pavarësisht se me një shije të hidhur në gojë.

Tevez i kaloi në avantazh juventinët që në minutën e 4-t, teksa dyfishon shifrat në minutën e 21, por në pjesën e dytë skuadra e Conte-s paguan sforcon e shfaqur gjatë së parës dhe golat e shënuar nga Toni (52’) dhe Juanito (94’), bëjnë që bardhezinjtë të mos dalin me fitore nga “Bentegodi”.

Pa Barzagli-n dhe Quagliarella-n, por me një Osvaldo më shumë, Juve shpërdoron kështu rastin për t’iu larguar Romës, si dhe mban ende të hapur kampionatin, sa për fajin e saj, po aq dhe për meritë të Hellas Verona. Megjithatë, “Zonja e Vjetër” mund të ngushëllohet me faktin se Roma, e gjendur në vendin e dytë, nuk arrin të përfitojë nga ky rast.

Në “Olimpico”, Lazio-Roma u mbyll në barazim pa gola. Një barazim që lumturon Eduardo Reja-n, ende i pamposhtur me të kaltrit që kur u rikthye në krye të pankinës, teksa hidhëron jo pak Totti-n, Garcia-n dhe të gjithë romanistët, pasi kanë mësuar për barazimin e Juventus ndaj Veronës.

Sa i përket ndeshjes, Roma bëri gjithçka për ta fituar, por në një mënyrë konfuze. Madje, edhe një autogol i anuluar për pozicion jashtë loje i Gervinho-s, në mesin e pjesës së parë.

Lazio u mbrojt më së miri, duke bërë atë që pritej përpara ndeshjes. Në fushë u rikthye edhe Stefano Mauri, pas skualifikimit 6-mujorsh për skandalin e basteve.

Në ndeshjet e tjera të Serie A, Torino-Bologna 1-2 u luajt në drekë, Livorno-Genoa 0-1, Parma-Catania 0-0, Sampdoria-Cagliari 1-0. Pritet të përfundojë edhe takimi mes Interit dhe Sassuolo-s.

Top Channel