Gjermania, rol të ri në Afganistan

09/02/2014 19:15

Marrëdhëniet amerikano-afgane janë në një moment të ri tensionimi, pasojë e refuzimit të presidentit Hamid Karzai për të firmosur paktin e sigurisë me Shtetet e Bashkuara, deri sa të nisë procesi i paqes me talebanët.

Por, garancitë për ndihmë nuk mungojnë dhe, e fundit prej tyre mbërrin nga Gjermania.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, zhvilloi një vizitë në Afganistan, e cila ishte mbajtur sekret deri në momentin e fundit.

Fillimisht, Steinmeier qëndroi në kampin gjerman të “Mazar-i-Sharif”, nga ku premtoi mbështetje për vendin edhe pas tërheqjes së “Bundeswehrit”.

“Ndihemi të detyruar të ndihmojmë për sigurimin e gjithë atyre çfarë janë arritur këtu, – tha kryediplomati, duke shtuar se – 2014-ta nuk është vetëm një vit kyç për Afganistanin, por edhe një pikë kthese për angazhimin gjerman”.

Më pak se një vit para përfundimit zyrtar të misionit të trupave ndërkombëtare, ministri i Jashtëm gjerman pranoi në bilancin e bërë se jo të gjithë objektivat e vendosur që në fillim janë arritur. Por, qëllimi që ‘në Afganistan të mos stërviten më terroristë’ është përmbushur plotësisht, u shpreh ai.

Pas qëndrimit në “Mazar-i-Sharif”, Steinmeier fluturoi për në Kabul, ku u takua me presidentin Hamid Karzai.

Temat kryesore të bisedimeve të tij në kryeqytet ishin tërheqja e ushtrisë gjermane dhe zgjedhjet presidenciale, raundi i parë i të cilave do të zhvillohet në Prill. Karzai, i cili është president i vendit që nga rënia e regjimit të talebanëve, në fund të vitit 2001, nuk mund të kandidojë më pas dy legjislaturave.

Ushtria gjermane ka aktualisht më shumë se 3,100 ushtarë në Afganistan. Deri në fund të këtij viti, nga Afganistani do të tërhiqen të gjitha trupat ushtarake ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA