Francë, shkëmbi bie mbi tren, 2 të vdekur

09/02/2014 00:00

Shkëputja e një masivi shkëmbor e rënia e tij mbi një tren pasagjerësh në alpet franceze shkaktoi vdekjen e dy personave dhe njërin prej vagonëve e shtyu deri në buzë të një rrëpire.

Njëri prej 9 të plagosurve është në gjendje të rëndë shëndetësore. Aksidenti ndodhi mëngjesin e së shtunës në një linjë hekurudhore të përdorur shumë nga turistët që lëvizin mes fshatrave Saint-Benoit dhe Annot në juglindje të Francës.

Zyrtarët lokalë sqaruan më vonë se shkëmbi i përplasur mbi trenin me një forcë shumë të madhe peshonte të paktën 20 tonë. Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi shkëputjen e tij.

Pikërisht për të parandaluar ngjarje të tilla, në rajon përdoren rrjeta hekuri dhe ky është rasti i parë që në linjën në fjalë ndodh një incident i tillë. Dy viktimat e episodit fatkeq janë një grua franceze e zonës dhe një shtetase ruse e cila udhëtonte bashkë me të shoqin.

Top Channel