Mark Harper, ministri britanik për Emigracionin, ka dhënë dorëheqjen nga kabineti i kryeministrit Cameron, pasi është zbuluar se një pastruese në shtëpinë e tij ishte pa dokumente të rregullta qëndrimi dhe punësimi në Britaninë e Madhe.
Në letrën e dorëheqjes dërguar kryeministrit, Harper thekson se ai kishte bërë verifikimet për statusin ligjor të pastrueses së punësuar në vitin 2007 dhe nuk kishte gjetur ndonjë parregullsi, por javën e kaluar atij i është thënë se e punësuara, me origjinë nga Kolumbia, nuk kishte leje të përhershme qëndrimi në Britani.
Çështja është duke u hetuar dhe burime qeveritare nuk mund të thonë se si ka mundësi që pastruesja arriti të siguronte dokumente të rreme për qëndrimin e saj në Britani.
Javën e kaluar, pastruesja, emri i së cilës nuk bëhet publik, paraqiti dokumente të reja, por pas verifikimit rezultoi se ajo nuk kishte leje qëndrimi në Britani.
Ky lajm i çuditshëm përbën një siklet të ri për qeverinë e kryeministrit Cameron, i cili ka premtuar të luftojë emigracionin ilegal në vend dhe synon që, brenda vitit 2015, shifra e tyre të jetë poshtë 100 mijë vetëve.
Laburistët e opozitës thonë se, gabimi i ministrit të Emigracionit dëshmon për kufizimet që ekzistojnë në verifikimet e emigracionit.
Ministri ka gjasa që të gjobitet me 5 mijë stërlina, ndërkohë ai do të vazhdojë të jetë deputet, edhe pse përpara këtij episodi ai mendohej se mund të ishte kryeministër i ardhshëm.
I ndodhur në pozitë të vështirë nga sondazhet e opinionit publik, në prag të zgjedhjeve të ardhshme eupropiane, kryeministri Cameron po përpiqet të neutralizojë ndikimin e partisë anti-emigracion, UKIP, e cila ka gjasa të dalë përpara Partisë Konservatore të kryeministrit, në zgjedhjet e Majit.
Top Channel