
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka udhëtuar drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon do të prezantojë raportin më të ri për Kosovën të hënën. Ai pritet t’i rekomandojë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë mbështetjen për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE.
Lajmin për vajtjen në Nju Jork kryeministri e publikoi në Facebook. Në postimin për këtë çështje, ai bëri edhe një koment për terminalin e ri të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
“Sa herë që udhëtoj jashtë atdheut kënaqem duke parë aeroportin tonë të ri e modern, i cili nuk i lë gjë manugt aeroporteve më të mirë në këtë pjesë të botës”, shkruan Thaçi.
“Sot, afro 2 milionë udhëtarë përdorin aeroportin tonë, ndërsa në vitet e ardhshme ky numër do të zgjerohet në 5 milionë”, vijon postimi i kryeministrit.
Ndërkohë, burime qeveritare bëjnë të ditur se pas Nju Jorkut kryeministri Thaçi do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e radhës me homologun e tij serb Ivica Daçiç.
Takimi Thaçi-Daçiç është caktuar të mbahet më 12 shkurt dhe temë diskutimi do të jetë funksionimi i gjykatave dhe policisë në veri, vazhdim i bisedës nga takimi paraprak, pasi palët nuk arritën të pajtoheshin plotësisht.
Top Channel