Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë akuzoi të shtunën kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti, se të premten mbylli shkollat për shkak të protestave.

Në një konferencë për shtyp, kryetari i kësaj dege, Lirak Çelaj tha se përfshirja e nxënësve në protestat e thirrura nga organizatat studentore është manipulim politik.

“Duam të shprehim një shqetësim lidhur me ndërprerjen e mësimit që është bërë nga Komuna e Prishtinës dje. Ne kemi dyshime të bazuara, të cilat do t’i shpalosim edhe para jush, që motivi pse është ndërprerë mësimi është kryekëput politik e ndërlidhet me protestat e djeshme”, deklaroi Çelaj.

Sipas Çelaj, mbyllja e menjëhershme e shkollave nga Shpend Ahmeti me dyshimin se derivatet e përdorura për ngrohje janë kancerogjene ishte një hap i ngutur, pasi të premten ishte mot i mirë dhe nuk kishte nevojë për ngrohje.

“Konsiderojmë që ky veprim është bërë në mënyrë të njëanshme. Është bërë në orën 12 dhe që është shumë sugjestive pse është bërë në atë kohë”, nënvizoi Çelaj.

Lirak Çelaj u bëri thirrje institucioneve kompetente që sa më shpejt të dalin me një hulumtim në lidhje me kontaminimin që mund të kenë këto derivate.

Ndërkohë që përgjegjësia duhet të merret nga Drejtoria e Arsimit që ka nënshkruar tenderimin, kryetari i komunës Shpend Ahmeti dhe ministritë përkatëse. Nëse del se shkalla e helmimit është e lartë, Çelaj konsideron se ky është shqetësim i madh dhe duhet të trajtohet si i tillë.

Veprimet e kryetarit të Prishtinës, sipas Çelaj janë kryekëput politike, duke krijuar panik tek qytetarët vetëm për të fituar vota në zgjedhjet qendrore dhe se ai po e përdor komunën për të bërë opozitë për nivel qëndror.

Top Channel