
Amerikani Kenneth Bae, i cili është ndaluar prej muajsh në Korenë e Veriut, është transferuar sërish në kampin e punëtorëve, nga spitali ku gjendej për kujdes shëndetësor, bëri të ditur Departamenti i Shtetit, gjatë së premtes.
Zëdhënësja e DASH, Jen Psaki, tha përmes një deklarate se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” nga zhvillimi i fundit.
“Mbetemi ende të shqetësuar rreth shëndetit të Bae-s” dhe sërish i bëjmë thirrje Penjanit t’i japë atij “amnisti speciale, duke e liruar në mënyrë të menjëhershme për arsye humanitare”, tha ajo.
Bae, një shtetas amerikan nga Lynëood i Uashingtonit, u arrestua në Nëntor të vitit 2012 në Rason, përgjatë bregut veri-lindor të Koresë së Veriut.
Një i krishterë i devotshëm dhe baba i 3 fëmijëve, ai operonte në një kompani me bazë në Kinë dhe e specializuar për turne në Korenë e Veriut, bën të ditur familja e tij.
Qeveria koreano-veriore akuzon Bae se ka planifikuar të rrëzojë qeverinë përmes aktiviteteve fetare. Muajin e kaluar, ai u tha reporterëve se kishte ndërmarrë “krime serioze” në vendin komunist dhe se nuk ishte keqtrajtuar nga regjimi i Kim Jong-un.
Çdo deklaratë e Bae-s në vazhdim do të sanksionohet nga qeveria e Koresë së Veriut.
Top Channel