Forcat izraelite mësyjnë xhaminë al-Aqsa

08/02/2014 00:00

Përleshje janë shënuar mes forcave izraelite dhe besimtarëve në xhaminë al-Aqsa në Jeruzalemin Lindor, të pushtuar nga Izraeli, pas lutjeve të darkës.

Forcat izraelite kanë mësyrë xhaminë dhe kanë hedhur granada tymuese gjatë së premtes, ndërkohë që dhjetra besimtarë janë kundërpërgjigjur me gurë, teksa bërtisnin se”do të sakrifikojmë gjakun dhe shpirtin tonë për ty, Aqsa”.

Një person raportohet i plagosur, i cili ka marrë ndihmë mjekësore brenda xhamisë. Imami i xhamisë, Mohamed Hussian, dënoi dhunën në një nga vendet e shenjta të Islamit, i njohur nga hebrenjtë si Tempulli i Malit.

“Kjo është një dhunë e pastër, që refuzohet nga të gjitha fetë dhe ligjet ndërkombëtare”, tha ai. “Është dhunë kundër xhamisë al-Aqsa dhe autoritetet izraelite janë përgjegjëse për këtë, sepse ata urdhërojnë ushtarët e tyre të hyjnë me forcë në xhami, ata janë përgjegjës për gjithçka po ndodh në al-Aqsa”.

Zëdhënësi i policisë së Izraelit, Micky Rosenfeld, tha se policia është përgjigjur pasi u hodhën gurë ndaj tyre.

“Pas lutjeve të së premtes, në Tempullin e Malit ishin mbledhur shumë gurë, që u hodhën më pas nga palestinezët drejt oficerëve të policisë, të cilët ishin dislokuar në zonën Mughrabi jashtë xhamisë”, tha ai.

“Njësitë e policisë izraelite u përgjigjën duke përdorur granada tymuese dhe duke hyrë brenda zonës së Tempullit të Malit, për t’u siguruar shumë shpejt se kishim shpërndarë të gjithë agresorët e trazirave”. Rosenfeld tha se policia kishte arrestuar 7 persona gjatë operacionit prej 2 orësh.

Top Channel