Selia e Shenjtë reagon sërish mbi dokumentin e Komitetit të OKB-së për të drejtat e të miturve.
Në një komunikatë për shtyp, zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, i përgjigjet akuzave mbi ndjekjen e politikave që kanë lejuar abuzimet mbi të miturit dhe mos ndëshkimin e klerikëve, që kanë kryer këto akte.
Selia e Shenjtë, megjithëse merr në shqyrtim vërejtjet e raportit, bën të ditur se ai paraqet anomali, kufizime të rënda dhe se shkon përtej kompetencave.
Megjithëse mohohet se ka një përballje mes Vatikanit dhe OKB-së, e cilësuar si realitet shumë i rëndësishëm për njerëzimin e sotëm, raporti konsiderohet si fryt i një moskuptimi të natyrës specifike të Selisë së Shenjtë.
Në fakt, në dokumentin shumë të ashpër të OKB-së i kërkohet Vatikanit, që të hapë hetime mbi rastet e pedofilisë në radhët e klerikëve, si dhe mbi ata që kanë fshehur këto krime.
Kërkohet pezullimi dhe largimi i menjëhershëm i të gjithë atyre, që janë përgjegjës për këto akte, e që duhet t’i dorëzohen autoriteteve civile.
Raporti i shpërndarë në Gjenevë kujton se Selia e Shenjtë i ka transferuar përgjegjësitë e abuzimeve nga një famulli në tjetrën, duke u munduar të mbulojë këto krime.
Vatikani e konsideron të dëmshëm, vëmendjen e madhe mediatike që shkaktoi raporti, i cili quhet si një përpjekje për të ndërhyrë në linjën e Kishës Katolike.
Top Channel