Sindikata e Farmacistëve kundërshton vëndimin e Këshillit të Ministrave
për uljen e marzhit të tregtimit dhe paralajmëron protesta, deri në
mbylljen njëditore të farmacive.

“Ulja e marzhit të tregtimit do të sjellë edhe ulje të fitimit të farmacistit. Ulja e marzhit të tregtimit është bërë në mënyrë të pastudiuar, pasi nuk është studiuar situata në të cilën ndodhet farmacisti, niveli i borxhit, menaxhimi i punës së farmacistit. Ulja e marzhit do të sjellë kaos, rritje abuzimi. Pacientin, një farmacist, nuk do ta trajtojë më si qënie humane, por vetëm si burim fitimi”, thotë Denisa Vrapi, përfaqësuese e Sindikatës së Farmacistëve.

Zëvendësministrja e Shendetesise Milva Ikonomi sqaron se ky vendim u mor per rregullimi e tregut farmaceutik, i cili ka te beje me furnizimin e rregullt, rritjen e cilesise se barnave, por dhe ulje te çmimit të barnave per pacientet deri ne 20 %.

“Në importues, marzhi tregtar për vitin 2013 ka qenë 10 për qind, në vitin 2014 bëhet 8 për qind dhe ndryshimi është 20 për qind. Për nivelin shpërndarës marzhi tregtar ka qenë 4 për qind, të bëhet në 3 për qind dhe ndryshimi është 25 për qind, ndërsa për farmacistin marzhi tregtar ka qenë 29 për qind dhe bëhet 25 për qind dhe ndryshimi është 13.8 për qind. Pra, në këtë vërtetë në këtë listë farmacia është ajo që preket më pak nga lëvizjet që bëhen në marzhin tregtar. Duke patur edhe lëvizjen që ne kemi bërë në negocimin e çmimit të barnave, me rreth 6 për qind është ulur çmimi dhe heqja e TVSH-së është 10 për qind, çmimi i barnave ka për t’u ulur me 19.4 për qind”, tha Ikonomi.

Zëvendësministrja sqaron se tregtuesit e barnave, si operatore biznesi perfitojne nga miratimi i pakestes se re fiskale, si heqja e TVSH-së per barnat, ulja e tatim-fitimit te thjeshtuar, ulja e kontributeve te sigurimeve shendetësore te  detyrueshme dhe se 50 % e aktivitetit te tyre i perket tregtimit te barnave te rimbursueshme, te cilat kane marzhe ekzistuese te uleta.

“Një farmaci në vendin tonë tregton dy lloj produktesh kryesore. Produkti i parë kryesor janë barnat dhe produkti i dytë kryesor i farmacisë janë materialet shëndetësore. Ato kanë një strukturë të ndryshme në xhiron e farmacisë. Materialet shëndetësore zënë rreth 22-25 për qind, ndërsa barnat përbehen nga dy kolona kryesore; barnat që vijnë nga lista e rimbursueshme dhe barnat që vijnë nga tregtimi i lirë. Ky vendim Qeverie funksionon vetëm për ato barna që janë në tregtim të lirë, ndërsa barnat që vijnë nga lista e rimbursueshmeve marrin të njëjtin marzh tregtar si më parë”, tha Ikonomi.

Ndërsa fondi që kursehet nga marzhi i fitimit i barnave për përdorim spitalor kthehet ne nje sasi me te madhe barnash per furnizim ne vazhdimesi te spitaleve.

Top Channel