
Qeveria amerikane ka ndaluar mbajtjen e lëngjeve nëpër bagazhet e fluturimeve drejtpërdrejt për në Rusi, pa ndalesa tranziti, në prag të Lojrave Olimpike Dimërore të Sochi-t në Rusi.
Kufizimet vijnë 1 ditë pasi zyrtarët amerikanë paralajmëruan se eksplozivët mund të trafikohen përmes udhëtimeve drejt Rusisë përmes kolinozëve të dhëmbëve.
Terroristët mund të përpiqen të ndërtojnë pajisjet e eksplozivëve gjatë fluturimeve, ose në prag të zbritjes për në Rusi, paralajmëruan zyrtarët. Siguria është një nga elementët e rritur në nivele maksimale në prag të ceremonisë së hapjes së Lojrave, që do të nisin këtë të premte.
Kompanitë ajrore amerikane njoftuan këtë të enjte kufizimin e përkohshëm të mbajtjes së lëngjeve, xheleve apo metanolit në bordin e avionëve që shkojnë drejt Rusisë, pa ndalesa të mëparshme.
Rusia gjithashtu ka ndërmarrë një masë të tillë, duke ndaluar lëngjet, pastat dhe xhelet nga aeroportet e saj, por edhe sa i përket fluturimeve brenda për brenda federatës së shteteve ruse. Të enjten, presidenti Barack Obama tha se Rusia ka “përgjegjësi të jashtëzakonshme” në pengimin e terrorizmit gjatë lojrave.
SHBA-të kanë dërguar gjithashtu dy anije luftarake në Detin e Zi, gati për të ofruar ndihmë në rast të ndonjë emergjence sigurie gjatë Lojrave Olimpike Dimërore.
Zëvendës/kryeministri Dmitry Kozak tha se niveli i sigurisë në Sochi është “i ngjashëm me atë të çdo qyteti të sigurt në botë”. E megjithatë, siguria nuk ka qenë i vetmi shqetësim në prag të këtyre lojrave.
Ligjet kontroverse të Rusisë në lidhje me homoseksualitetin, të miratuara vitin e kaluar, kanë provokuar kritika ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, iu referua këtij problemi nëpërmjet një fjalimi kryesor të mbajtur në seancën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik në Sochi, gjatë së enjtes.
“Sporti ka një fuqi të jashtëzakonshme për të bashkuar spontanisht popujt”, tha ai. “Duhet të ngremë zërin tonë kundër sulmeve ndaj LGTB-ve. Duhet të kundërshtojmë arrestimet, burgosjet dhe kufizimet diskriminuese, me të cilat ky komunitet përballet”.
Ban bëri thirrje gjithashtu për të gjitha palët ndërluftuese në botë, të studiojnë një “Paqe Olimpike” dhe të lënë armët të paktën gjatë periudhës së Lojrave Olimpike. Ministria e Jashtme ruse bëri të njëjtin apel, duke thënë se “pikë së pari thirrja e tyre u drejtohet palëve të gjakderdhjes në Siri”.
Top Channel