Rusia akuzon SHBA-të

07/02/2014 00:00

Sergei Glazyev, këshilltari i presidentit rus, Vladimir Putin, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përzihen në punët e Ukrainës, duke shkelur marrëveshjen e vitit 1994 për mosndërhyrje.

“Sipas memorandumit të sigurisë, Rusia dhe SHBA-të janë garantuesit e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës – tha ai, – dhe, duke folur sinqerisht, këto dy vende janë të detyruara të ndërhyjnë, kur situatat e konfliktit të këtij lloji të shtohen”.

Ai i tha gazetës “Kommersant” në Ukrainë, se “Uashingtoni po shpenzon 20 milionë dollarë në javë për grupet opozitare, duke furnizuar me armë ‘rebelet’, siç i quajti ai”.

“Memorandumi i Garancive të Sigurisë”, ku përfshihet edhe Britania e Madhe, është firmosur kur Ukraina hoqi dorë nga arsenali bërthamor sovjetik, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych do të takohet me Vladimir Putin të premten, në Sochi, në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore.

Në Kiev, ai u takua të enjten me ndihmës/Sekretaren amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland dhe u shpreh në favor të dialogut dhe kompromisit me opozitën.

Gjuha jodiplomatike e Nuland
Biseda e zyrtares së lartë me ambasadorin amerikan në Kiev

Ndërkohë, është postuar online një material audio, që supozohet të jetë biseda telefonike e Viktoria Nuland, me ambasadorin amerikan në Kiev, Jeffrey Payet, ku ajo flet në një gjuhë aspak diplomatike kundër Bashkimit Europian.

Nuland, e cila në muajin Dhjetor qëndroi në sheshin “Pavarësia” në Kiev, për të treguar mbështetjen për protestuesit, i tha ambasadorit amerikan se shefi i OKB-së, Ban Ki-moon do të caktojë ish-ambasadorin holandez në Kiev, Robert Serry, si përfaqësuesin e tij në Ukrainë.

Pikërisht këtu ajo thotë: “Do të ishte diçka e mirë, që do të na ndihmonte ta ngjisnim gjithë këtë, dhe kur ke OKB-në, s’ka ç’të duhet Bashkimi Europian”, duke lënë të kuptohen dallimet që ekzistojnë në politikat e tyre.

Nuland dhe Payet flasin hapur për rolin e tre udhëheqësve të opozitës ukrainase. Ambasada amerikane nuk pranoi të bënte ndonjë koment, mbi materialin që u publikua në rrjetet sociale.

Top Channel